Secondary Adv

Vendi përmbytet, por buxheti për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit në rënie

Shpenzimet për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit pritet të bien ndjeshëm deri në vitin 2028, ndërkohë që qeveria synon rritje të shërbimeve për fermerët dhe më shumë mbrojtje ndaj përmbytjeve.

Fondi bie nga viti në vit, pavarësisht nevojave në rritje

Buxheti afatmesëm i Ministrisë së Bujqësisë parashikon ulje konstante të fondeve për menaxhimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit. Shpenzimet zbresin nga 2.88 miliardë lekë në vitin 2025 në 2.25 miliardë lekë në 2028, një reduktim që bie ndesh me domosdoshmërinë për më shumë ndërhyrje në rrjet pas përmbytjeve të shpeshta dhe degradimit të infrastrukturës.

 

Rënia e fondeve është e zgjatur dhe e njëtrajtshme, duke mbetur në nivelin 2.25 miliardë lekë si për vitin 2027, ashtu edhe për 2028. Kjo situatë krijon presion të drejtpërdrejtë mbi mundësinë reale të mirëmbajtjes së rrjeteve ekzistuese, të cilat kërkojnë investime periodike dhe rigjenerim teknik.

 

Objektivat zyrtarë: më shumë shërbime, më shumë siguri

Ndryshe nga buxheti, objektivat e performancës për sektorin parashikojnë përmirësime të dukshme në rezultatet përfundimtare. Qeveria synon që përqindja e fermerëve që përfitojnë nga infrastruktura ujitëse dhe kulluese të rritet nga 76% në vitin 2025 në 79% në vitin 2028, ndërkohë që aksesi në ujë për ujitje pritet të shkojë nga 76% në 78%.

 

Hidrovoret e rehabilituara do të arrijnë 85% të nevojës totale që prej vitit 2026, krahasuar me 80% në 2025, ndërsa pastrimi ciklik i rrjetit kryesor kullues synon të mbulojë 22% të sipërfaqes potencialisht të kullueshme deri në 2028, nga 21% një vit më parë. Pritet gjithashtu zgjerim i veprave të mbrojtjes nga përmbytjet, me rritje graduale nga 41 njësi në vitin 2025 në 50 njësi në fund të vitit 2028.

 

Mospërputhje mes fondeve dhe objektivave

Krahasimi i buxhetit me objektivat ngre pikëpyetje serioze mbi realizueshmërinë e planeve. Ndryshimet klimatike po e rrisin ndjeshëm frekuencën e përmbytjeve dhe thatësirave, duke e bërë infrastrukturën e kullimit dhe ujitjes një element kritik për sigurinë e prodhimit bujqësor.

 

Pa rritje të fondeve, rreziku është që objektivat të mbeten në nivel deklarativ, ndërsa fermerët vazhdojnë të përballen me mangësi të mëdha infrastrukturore në periudhat me reshje ekstreme apo mungesë të ujit.

 

Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat